Më kujtohet që kam lexuar një herë se disa njerëz e përdorin gjuhën për të fshehur mendimin, por në përvojën time janë më të shumtë ata që e përdorin në vend të mendimit.
Biseda e një biznesmeni duhet mbajtur nën kontroll nga rregulla më të pakta e më të thjeshta se çdolloj funksioni tjetër i species njerëzore. Këto janë:
Ki diçka për të thënë.
Thuaje.
Pusho së foluri.
T’ia nisësh para se ta dish se ç'do thuash dhe të vazhdosh pasi ta kesh thënë e plas tregtarin në derë të gjyqit a strehës vorfënore, dhe e para i bie shkurt për tek e dyta. Mbaj një sektor ligjor këtu, dhe kushton goxha para, por e kam që të mos u drejtohem gjyqeve.
Kur shkon të takohesh me një vajzë apo flet me miq pas darke, s’ka gjë se e zhvillon bisedën si ekskursion i shkollës së të dielës, me ndalesa për të mbledhur lule; ama në zyrë fjalitë duhet t'i kesh me distancën më të shkurtër që mundet nga pika në pikë. Hiqe hyrjen e ligjëratën dhe ndal para se të vish tek “së dyti”. Duhet t’i mbash predikimet shkurt që të zësh mëkatarët; as dhjakët vetë nuk besojnë se u hyjnë në punë predikime të gjata. Jepu budallenjve fjalën më të parë dhe grave atë më të fundit. Mishi gjendet gjithnjë në mes të sanduiçit. Natyrisht, nga pak gjalpë në secilën anë nuk prish punë nëse është për një njeri që e ka qejf gjalpin.
Ki parasysh gjithashtu se është më e lehtë të dukesh i zgjuar sesa të flasësh me zgjuarsi. Thuaj më pak se bashkëfolësi dhe dëgjo më shumë seç flet; se, kur dikush mban vesh, nuk po i nxjerr të palarat vetes dhe po i bën qejfin atij që po nxjerr të vetat. Jepu të shumtës së burrave një dëgjues të mirë e të shumtës së grave fletë shënimi të mjaftueshme, e kanë për të dëftyer gjithçka që dinë. Paraja flet -- por vetëm nëse i zoti e ka gjuhën të gjatë, e atëherë vërejtjet i ka përherë fyese. Edhe skamja flet, por askush s’do t’ia vërë veshin se ç'ka për të thënë.